PSD

Partia Socialdemokrate e Shqipërisë

Idetë socialdemokrate u shfaqën në Shqipëri në vitin 1943 në rrethet intelektuale të vendit dhe u manifestuan në mënyrë më konkrete në veprimtarinë politike të Musine Kokalarit. Megjithatë, për shkak të vendosjes së regjimit monist në vend dhe arrestimit të Kokalarit me akuza politike në vitin 1946, ato mbetën thjesht ide.

Pas një ndërprerje gjysmëshekullore, idetë socialdemokrate gjetën hapësirë të shpreheshin dhe institucionalizoheshin në Lëvizjen Studentore që inicioi ardhjen e pluralizmit në Shqipëri. Socialdemokracia ishte produkt i një fryme intelektualësh të shkolluar në Perëndim, më i spikaturi ndër të cilët qe Skënder Gjinushi. 

Partia Socialdemokrate u ligjërua në 22 Prill 1991 si parti e qendrës së majtë. Në zgjedhjet parlamentare të marsit 1992 PSD fitoi 7 mandate dhe u përfaqësua në qeveri në nivel ministror dhe zv/ministror. E kryesuar nga Skënder Gjinushi, PSD u pranua si anëtare konsultative e Internacionales Socialiste në dhjetor 1992. Në nëntor 1994 Partia Socialdemokrate denoncoi koalicionin fiktiv me Partinë Demokratike, u tërhoq nga Qeveria dhe mori pjesë aktive për rrëzimin në referendum të projekt Kushtetutës autoritariste të Sali Berishës. PSD nuk mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 dhe deklaroi pavlefshërinë dhe mosnjohjen e tyre. Në zgjedhjet lokale të po atij viti, së bashku me Aleancën Demokratike (PAD), PSD konkuroi si subjekt i koalicionit “Poli i Qendrës”. Megjithatë, rezultatet e votimit u kompromentuan nga bojkotimi masiv i zgjedhësve dhe nga dominimi e manipulimi prej Partisë Demokratike. Në shtator 1996 PSD u pranua anëtare me të drejta të plota në Internacionalen Socialiste.  Pas falimentimit të firmave piramidale të fajdeve PSD inicioi Forumin për Demokraci dhe luftoi për zgjidhjen e krizës politike përmes zgjedhjeve të parakohshme. Në Mars 1997 PSD ishte ndër dhjetë partitë që formuan Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, ku u përfaqësua në nivel ministror. Në Maj 1997, në koalicion me Partinë Socialiste, fitoi 10 mandate parlamentare dhe u përfaqësua në nivel ministror në Qeverinë e koalicionit “Aleanca për Shtetin”. 

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 PSD mori 4 mandate. Në vitin 2005 partia e rriti përfaqësimin parlamentar në 7 mandate dhe doli në opozitë duke u bërë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e interesave kombëtare nga arroganca e pushtetit të Berishës. Në zgjedhjet e vitit 2009  dhe ato të vitit 2013 PSD nuk arriti të marrë mandat parlamentar për shkak të deformimit të vullnetit të popullit nga sistemi elektoral i vitit 2008, edhe pse në rang kombëtar mori rreth 40 mijë vota.

Në zgjedhjet e vitit 2017 filloi ringritja e PSD-së që, pavarësisht kodit zgjedhor të pafavorshëm, arriti të marrë 1 mandat parlamentar. Në vitin 2021 kryetar i Partisë Socialdemokrate bëhet Tom Doshi, i cili arriti ta energjizojë partinë dhe të rrisë peshën e saj politike në nivel qendror dhe lokal. Vizioni i kryetarit të ri ishte për riorganizim modern të partisë, për të shfrytëzuar potencialin e saj dhe për të plotësuar nevojën e spektrit politik shqiptar për frymën socialdemokrate. Kështu, në zgjedhjet parlamentare 2021 PSD ia doli të marrë 3 mandate, ndërkohë që në zgjedhjet lokale të Majit 2023 PSD pati rritje të ndjeshme të përfaqësimit, duke marrë 116 vende në këshillat bashkiakë, të shpërndara në 44 bashki të vendit. 

MISIONI DHE VIZIONI

Ne jemi për një shoqëri gjithëpërfshirëse të bazuar në parimet lirisë, drejtësisë dhe solidaritetit. Ne angazhohemi të luftojmë për drejtësi sociale, punësim dinjitoz, të drejtat e konsumatorit dhe zhvillim të qëndrueshëm social e mjedisor, për të krijuar një Shqipëri më të fortë, më demokratike dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Prioriteti ynë është të ndihmojmë të papunët dhe shtresat në nevojë dhe të garantojmë funksionim të ndershëm të shoqërisë dhe tregut. Ne duam t’i kthejmë njerëzve shpresën dhe besimin te politika. Këto parime na frymëzojnë në punën tonë të përditshme, në të gjitha nivelet e pushtetit ku përfaqësohemi.

Ekonomia

Konkurrencë sa të jetë e mundur, rregullim nga shteti sa të jetë i nevojshëm.

MIRËQENIA

Askush të mos mbetet pas

KOHEZIONI

Qeveria ka vetëm një detyrë – të sigurojë mirëqenien e popullit.

SUNDIMI I LIGJIT

Me ligjin, me qytetarin, me republikën

DIASPORA

Partner strategjik për zhvillimin e vendit

Misioni Vazhdon...

Antarët tanë

Kryesia e Partisë

PSD